Historiani serb rreth 'padisë ndaj Serbisë për gjenocid' nga Kosova: Mund ta bëjnë përmes Shqipërisë, ose një shteti të tretë
Kosova mund të bëjë padi për gjenocid ndaj Serbisë “vetëm përmes një pale (shteti) të tretë”, thotë historiani serb, Bojan Djokiq,duke arsyetuar mbi bazën e asaj që Kosova nuk është pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
“Ne pamë një shembull, në fund të vitit të kaluar, Afrika e paditi Israelin për gjenocid ndaj Palestinës. Është një mendim i arsyeshëm nëse Republika e Shqiprisë do të padiste për gjenocid kundër Serbisë, dhe shtetet tjera do ta përkrahnin”, përgjigjet Djokiq.
Padia e premtuar (e parealizuar) për gjenocid nga Kurti
Janë bërë tash më shumë se tri vite që kur Albin Kurti me të ardhur në krye të shtetit për të dytën herë është zotuar se Serbinë do ta padisë ndërkombëtarisht për gjenocid ndaj popullatës shqiptare gjatë viteve të 90’ta.
Edhe për nga vetë definicioni ligjor ndërkombëtar Kurti argumentonte sikur dy-plus-dy që bëjnë katër se Serbia, përkatëisht regjimi i Sllobodan Millosheviqit, ka kryer gjenocid ndaj popullatës shqiptare. Kjo, për Kurtin, ishte faktikisht, empirikisht, logjikisht dhe edhe semantikisht e vërteta e Serbisë gjatë viteve 98-99 në Kosovë.
Se kjo do të bëhej për Kurtin ishte zotim i shprehur thuajse në baza javore.
“Përgatitjet për padinë ndaj Serbisë përgjenocid janë gjigante sepse një rast i tillë as nuk guxon, as nuk duhet e as nuk mund të humbet”, deklaronte Kurti më 7 maj të 2021’ës si kryeministër i shtetit.
I dytë pas tij në Lëvizjen Vetëveodsje, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, dy vite më pas, në maj të 2023’ës shprehej se “jemi shumë afër të përfundimit të padisë procesionale për gjenocid ndaj Serbisë”.
Por, ky premtin tash në fazën e përfundimit të mandatit duket asgjëkundi.