Haziri për Kurtin: Dje tha “po lypin shumë e nuk ju jap”, sot “po ju ofroj shumë e janë tërheq”
Deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit politike dhe negociatat për tejkalimin e ngërçit institucional.
Haziri e ka cilësuar si kontraverse situatën brenda Vetëvendosjes, duke iu referuar deklaratave të kryetarit të saj, Albin Kurtit.
“Deri dje tha se ‘po lypin shumë e nuk ju jap’, ndërsa sot tha se ‘po ju ofroj shumë e janë tërheq’”, ka shkruar Haziri.
Ai ka thënë se LDK-ja ka dalë nga procesi i bashkëpunimit, ndërsa ka theksuar se qëndrimi i saj për një president konsensual mbetet i pandryshuar.
“Ne e mbajmë fjalën për President konsensual, por konstituimi i Kuvendit është hapi kryesor për me pasë President dhe Qeveri”, ka deklaruar ai.
Haziri ka paralajmëruar se përgjegjësia për refuzimin e bashkëpunimit do të bëhet e qartë, duke shtuar se LDK-ja ka kaluar edhe procese më të vështira.
“Ne e kemi paguar çmimin tonë. Kemi përballu procese edhe më të rënda se kjo. LDK ka qenë dhe mbetet besë e shpresë për këtë Republikë!”, ka shkruar Haziri.