Haxhiu thotë se votimi i Kodit Civil nuk duhet të dështojë këtë vit: Do të jetë goditje për Kosovën
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka përsëritur se është e rëndësishme që Kodi Civil të kalojë në Kuvendin e Kosovës.
Në një intervistë për “Kosova Press”, ajo ka thënë se një çështje e tillë është përmendur edhe në raportin e ekspertëve të Këshillit të Evropës.
“Është e rëndësishme që të kalojë (Kodi Civil), sidomos kur ne jemi në prag, gjegjësisht në fazat e anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Madje edhe në një prej raporteve të ekspertëve të Këshillit të Evropës të cilët e kanë vlerësuar gjendjen në Kosovë që është një fazë që bëhet para anëtarësimit, është përmendur rëndësia e kalimit të Kodit Civil. Ne nuk e kemi proceduar, gjegjësisht e kemi shtyrë për këtë vit, e kemi pasur plan që në vitin 2023 ta procedojmë, por nuk i kemi pasur votat në Kuvend.” – u shpreh ajo.
Haxhiu tutje ka shtuar se ideja është që ligji mos të shkojë sërish në Kuvend, dhe të dështojë, pasi sipas saj, kjo do të ishte goditje për Kosovën.
“Gjegjësisht, ideja është që të mos shkojë sërish në Kuvend dhe të dështojë sërish, sepse do të jetë goditje për Kosovën, sikurse edhe goditje edhe për qeverinë, sepse një çështje që është e rëndësishme për qeverinë që ndërlidhet me të drejtat e njeriut… Nuk kemi nevojë ta procedojmë pa u siguruar që kalon. Por unë jam e bindur që shumë shpejt do ta procedojmë dhe mund të kemi sukses në përpjekjen tonë.” – ka deklaruar ministrja Haxhiu.