Haxhiu shpreh ngushëllimet për vrasjen e gruas nga Graçanica: Të ndalohet femicidi
Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu ka reaguar pas lajmit se një grua humbi jetën sot në QKUK pasi ishte rrahur nga bashkëshorti i saj.
Ajo në llogarinë e saj në “Facebook” shprehu ngushëllimet e saj dhe tha se rastet e dhunës dhe vrasjeve ndaj grave janë realitet i frikshëm dhe se duhet të punojnë në parandalimin e këtyre rasteve.
“Shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për humbjen tragjike të jetës së 41-vjeçares nga Graçanica. Rastet e dhunës dhe vrasjet e grave janë realiteti i frikshëm dhe i papranueshëm dhe po angazhohemi në vazhdimësi që të ngrisim vetëdijen shoqërore me qëllim të parandalimit të rasteve të dhunës dhe femicidit dhe që dhunuesit dhe vrasësit e grave të marrin dënimet maksimale”, shkroi Haxhiu.
Ndërsa tha se institucionet duhet të marrin me seriozitet çdo rast të dhunës dhe dhunuesit duhet mbajtur përgjegjës.
“Është e nevojshme që institucionet përgjegjëse të angazhohen për një sistem që garanton që çdo rast i dhunës trajtohet me seriozitetin e merituar dhe mbajtjen e dhunuesve e vrasësve përgjegjës.”, përfundoi Haxhiu.