Haxhiu i çon dy ankesa në Supreme për votat me postë
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka njoftuar se ka paraqitur dy ankesa në Gjykatën Supreme, duke kundërshtuar, sipas tij, shkelje të rënda ligjore që kanë ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve.
Në një postim në Facebook, Haxhiu tha se ankesat lidhen me pranimin “të paligjshëm” të 23.232 pakove me fletëvotime përmes postës pas afatit ligjor dhe me përllogaritjen e gabuar të mandateve për Kuvendin e Kosovës.
“Ky veprim ka ndikuar drejtpërdrejt në ndarjen e mandateve dhe ka anashkaluar vullnetin e lirë të qytetarëve”, shkroi ai, duke akuzuar KQZ-në për shkelje të parimit të barazisë së votës dhe të drejtës kushtetuese për t’u zgjedhur.
Haxhiu i bëri thirrje Gjykatës Supreme të veprojë me përgjegjësi dhe të mbrojë demokracinë. “Demokracia nuk mbrohet me heshtje, por me ligj, drejtësi dhe guxim institucional”, theksoi ai.