Hasani për Marrëveshjen e Ohrit: Ka gjëra që kanë me qenë vështirë të përpihen
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka folur në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova për Marrëveshjen e Ohrit. Sipas tij, marrëveshja e arritur në Bruksel dhe Ohër është pararendës i krijimit të një pushteti paralel që do ta ketë selinë në veri, duke rivalizuar pushtetin në Prishtinë.
Në një intervistë në emisionin Rubikon të Klan Kosovës, Hasani shprehu shqetësimin e tij lidhur me këtë marrëveshje dhe ndikimin që ajo mund të ketë në organizimin e pushtetit në veri të Kosovës.
Ai theksoi se kjo marrëveshje parashikon krijimin e një "institucioni ombrellë" për autonomi jo territoriale, i cili do të jetë një lloj kuvendi për komunitetin, bashkësinë, ose grupin etnik të veriut të Kosovës.
“Ka gjëra që kanë me qenë vështirë të përpihen, asociacioni, autonomia territoriale dhe jo territoriale – vetëmenaxhimi ka të bëjë me autonominë jo territoriale. Ajo që quhet ‘institucioni ombrellë’, institucioni ombrellë i autonomisë joterritoriale zakonisht është një lloj kuvendi i atij komuniteti, bashkësie, atij grupi etnik, gjuhësor, e kështu me radhë. Në rastin e këtyre, ombrellë do të jetë asociacioni i këtij vetëmenaxhimi, pritet të mos ketë vetëm kuvend, por disa struktura që do të formohen për ta ekzekutuar vetëmenaxhimin, autonominë territoriale.” – ka deklaruar Hasani.