Haradinaj për 24 vjetorin e Marrëveshjes së Kumanovës: Shqiptarët përjetësisht i janë falënderues Amerikës
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shkruar sot për 24 vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës.
Haradinaj thotë se kjo marrëveshje i dha vulë lirisë sonë e fund regjimit serb në Kosovë.
‘’24 vjet më parë në Kumanovë u nënshkrua marrëveshja e cila përfundimisht i dha vulë të drejtës sonë për të jetuar në liri duke i dhënë fund regjimit serb në Kosovë dhe spastrimit etnik si qëllim thelbësor i Millosheviqit’’- shkroi Haradinaj në rrjetin social ‘’Facebook’’.
Ai shtoi se NATO në krye me ShBA-në krah UÇK-së, është konfirmimi i pastërtisë së luftës sonë çlirimtare.
‘’Rreshtimi i NATO-s me në krye me ShBA-të krah UÇK-së, është konfirmim i pastërtisë së luftës sonë çlirimtare. Mobilizimi i botës demokratike për t'i dalë në krah popullit të Kosovës që synim shekullor kishte lirinë, ishte vendimtar për lirinë dhe sot shtetin tonë’’- shtoi Haradinaj.
Haradinaj ndër të tjera tha se populli I Kosovës I janë përjetësisht falenderues Amerikës për secilën etapë të historisë sonë.
‘’Populli i Kosovës do të jetë gjithmonë mirënjohës ndaj aleatëve tanë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Shqiptarët përjetësisht i janë falënderuese Amerikës për secilën etapë të historisë sonë!’’- tha ai.