Haradinaj pas vendimit për Manastirin: Deçani gjithmonë ka nderuar Kosovën, Qeveria s'po ia kthen me të mirë
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka qëndruar sot në Deçan, komunë kjo e udhëhequr nga partia e tij, pas zhvillimeve të fundit, si vendimi për Manastirin e Deçanit.
Përmes një shkrimi në llogarinë Facebook, Haradinaj ka thënë se Deçani e ka nderuar gjithmonë Kosovën e i ka respektuar vendimet e institucioneve të saj.
“Sot qëndrova në Deçan ku zhvillova një diskutim me kryetarin, z. Bashkim Ramosaj dhe autoritetet tjera lokale për të gjitha zhvillimet e fundit në Deçan e më gjerë. Deçani, si çdoherë ka nderuar Kosovën e gjithë kombin në të gjitha çështjet e ndjeshme, dhe do të vazhdojë të jetë në shërbim të qytetarëve dhe në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, për t’i respektuar vendimet e institucioneve qendrore të Kosovës, sepse është shteti ynë dhe shtet tjetër nuk kemi. “ – ka thënë ai.
Megjithatë, Haradinaj ka shtuar se me vendimin e fundit, Qeveria nuk e ka respektuar Deçanin dhe shumë projekte kanë mbetur pezull pasi nuk kanë pasur buxhet.
“Por, qeveria e sotme e Kosovës nuk po e respekton dhe nuk po e përkrah Deçanin në kërkesat jetike në shërbim të qytetarëve. Shumë projekte kanë mbetur pa buxhetin e domosdoshëm për t’i përfunduar ato. Kjo sjellje e tillë e qeverisë ndaj Deçanit duhet të ndërpritet dhe t’i ofrohet përkrahja e merituar në projektet që kanë mbetur pezull.” – është shprehur kreu i AAK-së.