Haradinaj: Mocioni për shkarkimin e Albin Kurtit, është interes kombëtar
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se mocioni për shkarkimin e kryeministrit, Albin Kurti është interes kombëtar.
Haradinaj përmes një postimi në Facebook ka thënë se duke qenë i vetëdijshëm që Kosova me këtë kryeministër po hyn në një rrugë pa krye, ka kërkuar mocion për shkarkimin e Kurtit.
“Të dashur qytetarë të Kosovës, I vetëdijshëm se Kosova me këtë kryeministër po hyn në një rrugë pa krye, para pak ditësh kërkova mocion për shkarkimin e Albin Kurtit. Sanksionet e BE-së ndaj Kosovës dhe paralajmërimet e SHBA-së se Qeveria e Kosovës është në rrugë të gabuar, e dëshmojnë se sa e rrezikshme dhe e pashpresë është gjendja, e cila fatkeqësisht do të shkojë duke u përkeqësuar gjithnjë e më shumë.” – ka shkruar ai.
I pari i AAK-së ka thënë se tashmë është koha që të veprohet dhe të bashkohen të gjithë ata që interes parësor e kanë Kosovën.
“Prandaj sot është koha të veprohet dhe të bashkohen të gjithë ata që interes parësor e kanë Kosovën, qofshin në opozitë ose edhe deputetë të shumicës, e ta jetësojnë mocionin për shkarkimin e kësaj Qeverie. Hezitimi për të vepruar në kohë të një krize kaq të thellë e me pasoja të paimagjinueshme për vendin është bashkëfajësi. Mocioni për shkarkimin e Albin Kurtit, sot është interes kombëtar!” – ka përfunduar Haradinaj.
