Haradinaj: Kosova nuk është e varfër, por e keqqeverisur
Kryetari i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar ashpër ndaj gjendjes politike dhe ekonomike në vend, duke e cilësuar si “jonormale” mënyrën e qeverisjes dhe funksionimit institucional.
Ai thekson se për një vit të tërë vendi është qeverisur në kundërshtim me normat ligjore e kushtetuese, ndërsa qytetarët po përballen me varfëri, emigrim dhe pamundësi për të përballuar jetesën. Sipas tij, fokusi i debatit publik është zhvendosur nga problemet reale të qytetarëve drejt temave politike, duke lënë në harresë nevojat e përditshme.
Haradinaj përmendi edhe rritjen e çmimeve, kostot e larta të energjisë, mungesën e investimeve dhe vështirësitë në sistemin shëndetësor e arsimor. Ai kritikoi gjithashtu praktikat zgjedhore dhe shpenzimet e mëdha nga buxheti publik për procese të shpeshta zgjedhore.
Në fund, ai theksoi se ndryshimi mund të vijë vetëm nga qytetarët përmes votës, duke ndëshkuar, sipas tij, përgjegjësit për gjendjen aktuale. “Kosova nuk është e varfër, por e keqqeverisur,” u shpreh ai, duke shtuar se vendi ka potencial për një të ardhme më të mirë.