Hamza me postim prekës për Demaçin dhe Thaçin: Sakrifica u kthye në institucion, ëndrra në shtet
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka kujtuar 90-vjetorin e lindjes së Adem Demaçit dhe dhjetë vjetorin e zgjedhjes së Hashim Thaçit president.
Duke e postuar një fotografi të veçantë, ai ka përmendur kontributin e madh të këtyre dy personaliteteve të mëdha.
Në profilin e tij në “Facebook”, Hamza ka kërkuar liri dhe drejtësi për Hashim Thaçin.
“Ua gjeta këtë fotografi si kujtim i dy datave të rëndësishme: 90-vjetorit të lindjes së Adem Demaçit, frymëzimit të shumë brezave të patriotëve që bënë histori në vendin tonë, si dhe 10-vjetorit të zgjedhjes së Hashim Thaçit si President. Në ditëlindjen e tij, dhjetë vjet më parë, një tjetër patriot i madh u betua si President i Kosovës së pavarur, duke kthyer sakrificën në institucion dhe ëndrrën në shtet. Baca Adem mbetet figurë e qëndresës, humanizmit dhe sakrificës për liri, barazi dhe dinjitet njerëzor. Edhe sot, vlerat e tij dhe të çdo luftëtari të lirisë po mbrohen me dinjitet nga çlirimtarët tanë, në burgun e fundit politik për popullin tonë. Liri. Drejtësi”, ka shkruar ai.