Hamiti thotë se Kurti bëri "akrobacioni": Prej Zajednica nuk kalon, te Asociacioni kalon
Zyrtari lartë i LDK-së, Muhamet Hamiti, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pranuar Asociacionin.
Në shkrimin e publikuar në Facebook që mban titulli “Akrobacioni i Kurtit: Prej “Zajednica nuk kalon!’ te ‘Asociacioni kalon!’”, Hamiti ka treguar arsyet pse Kurti po e pranon Zajednicën.
“Akrobacionet e Kurtit, ndonëse mund t’u pëlqejnë tifozëve të tij, janë të rrezikshme për boshtin kurrizor të Republikës së Kosovës.” – ka shkruar ndër të tjera ai.
Shkrimi i plotë:
Akrobacioni i Kurtit: Prej “Zajednica nuk kalon!’ te ‘Asociacioni kalon!’
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti e ka zakon të bëjë kthesa 180-shkallëshe (u-turns, siç u thonë në anglisht) me një lehtësi të padurueshme. Kthesa që i sheh kushdo pos përkrahësve të tij.
Nuk do të bëhet Kosova shtet i pavarur thoshte. U bë. Kur u bë, tha Kurti: do të bashkohet Kosova me Shqipërinë. Kur u bë kryeministër, mbasi e mori vesh ose u bë se e mori vesh, tha: nuk na e lejon Kushtetuta e Republikës së Kosovës bashkimin me Shqipërinë. Mbas shumë vitesh e mori vesh dhe e tha këtë.
‘Zajednica nuk kalon’ ka thënë me vjet, dhe fjalën serbe e futi në leksikun shqip të përkrahësve të vet. Sot, më në fund, më 2 shkurt 2023, efektivisht tha se Asociacioni kalon, me kushte, por kalon domethënë.
I përcjell po s’i merr vesh me kohë as zhvillimet politike as mesazhet e miqve dhe aleatëve të Republikës sonë, as Kushtetutën e Kosovës, as marrëveshjet ndërkombëtare të para dhjetë vjetëve.
Akrobacionet e Kurtit, ndonëse mund t’u pëlqejnë tifozëve të tij, janë të rrezikshme për boshtin kurrizor të Republikës së Kosovës.
