Hamiti: Qeveria Kurti e bëri këtë epokë të korrupsionit masiv qeveritar në pesë vitet e kaluara
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, ka komentuar qëndrimet e kryeministrit në detyrë Albin Kurti në forumin e Davosit.
Ai ka bërë me dije se Kurti ka drejtuar qeverinë më të korruptuar në histori të Kosovës dhe nuk e ka problem të thotë gjera që nuk janë të vërteta.
Në profilin e tij në “Facebook”, Hamiti ka shkruar për ministrat me aktakuzë që ka në Qeverinë Kurti.
“Albin Kurti e ka drejtuar Qeverinë më të korruptuar në historinë e Kosovës, por s’e ka problem të deklarojë se populli refuzon të kthehet në epokën e korrupsionit. Korrupsioni nuk ka vend në Kosovë, paska thënë ai, por Qeveria e tij e bëri këtë epokë të korrupsionit masiv qeveritar në pesë vitet e kaluara. Ministresha e Qeverisë së Vetëvendosjes, me aktakuzë dhe në proces gjyqësor, është zgjedhur deputete nga Lista e VV-së së Albin Kurtit më 28 dhjetor 2025. E ka pëlqyer Kurti. E ka pëlqyer edhe votuesi i tij. Për fat të keq, ky nuk është rast i izoluar”, ka shkruar Hamiti.