Hamiti: Kosova nën sanksione të BE-së, Kurti merret me zgjedhjet në Maqedoni
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, për ndërhyrjet në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut.
Ai ka thënë se Kurti ka mjaft çështje me të cilët duhet të merret paraprakisht.
Në profilin e tij në “Facebook”, Hamiti ka shkruar se pasi i përçarë shqiptarët e Luginës së Preshevës, tani ai po synon të njëjtën gjë edhe me shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.
“Kosova u është nënshtruar sanksioneve të rënda ndërkombëtare në kohën e Qeverisë së Albin Kurtit. Qindra miliona euro të humbura deri tani. Humbja vazhdon. Fajtori ka emër. Po ashtu, korrupsioni qeveritar, më i madhi në historinë e Kosovës. Me Albin Kurtin në krye të procesit të dialogut me Serbinë, ai që ishte Asociacion po bëhet Zajednicë me pushtet ekzekutiv, madje autonomi politike-territoriale për serbët”, ka shkruar Hamiti.
Ai ka vlerësuar se tani është koha edhe kosovarët të ia japin një leksion të mirë elektoral kryeministrit Kurtit.
“Ka kohë tash Albin Kurti të ndërhyjë në zgjedhjet në Maqedoni. Shqiptarët e Luginës së Preshevës i ka përçarë. Tash do t’i përçajë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Shqiptarët e Shqipërisë i kanë dhënë leksion Kurtit. Koha është t’ia japin një leksion të mirë elektoral shqiptarët e Kosovës. Kryeministri i Kosovës s’duhet të bëjë çka po bën Albin Kurti”, ka shkruar Hamitit.