Hamiti: Komuna e Prishtinës është e shpërfillur dhe e përbuzur nga Qeveria Kurti
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për diskriminim të komunave që qeverisen nga partitë opozitare.
Ajo ka bërë me dije se Qeveria qendrore po bën çmos për të penguar punën e pushteteve komunale aty ku nuk qeverisë VV-ja.
Në profilin e tij në “Facebook”, Hamiti ka shkruar se më e shpërfillura është komuna e Prishtinës.
“Qeveria e Kosovës, që e ka marrë votën popullore me propagandë populliste #KREJTdheDREJT për pushtet absolut, nuk e ka në qendër të interesit të vet qytetarin e Kosovës, as shtetin e Kosovës, por pushtetin e vet. Po ta kishte hallin e qytetarit të Kosovës, siç po thotë se e ka Qeveria e Albin Kurtit, nuk do të bënte çmos, siç po bën, për të shpërfillur e nëpërkëmbur këtë interes duke penguar punën e pushteteve komunale kudo ku qeveris opozita, aty ku s’është në pushtet Vetëvendosja. Rasti më ilustrativ është Prishtina, kryeqyteti i Kosovës, që prek drejtpërdrejt jetën e qytetarëve të kësaj komune por edhe të gjithë Kosovës. Edhe këta janë qytetarë të Kosovës. Janë të shpërfillur e të përbuzur nga Qeveria aktuale e Kosovës”, ka shkruar Hamiti.