Hamasi thotë se e ka seriozisht rreth marrëveshjes për Gazën, por kushtet mbeten
Hamasi tha të martën se dëshiron që të arrijë marrëveshje për përfundimin e luftës në Gaza duke u mbështetur në planin e presidentit amerikan, Donald Trump, por se ende ka një grup kërkesash, deklaratë që sinjalizon se bisedimet e tërthorta me Izraelin në Egjipt mund të jenë të vështira e të gjata.
Zyrtari i lartë i Hamasit, Fawzi Barhoum, e bëri të ditur pozicionin e grupit në dyvjetorin e sulmit të Hamasit ndaj Izraelit, që do ta nxiste më pas fillimin e luftës, dhe një ditë pas fillimit të bisedimeve të tërthorta në Sharme el-Sheikh të Egjiptit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Bisedimet duket të jenë më premtueset deri më tani për përfundimin e luftës që ka lënë të vrarë dhjetëra mijëra palestinezë dhe e ka shkatërruar enklavën që nga sulmi në jug të Izraelit më 7 tetor 2023, kur 1.200 njerëz u vranë e 251 të tjerë u morën peng në Gaza.
“Delegacioni i lëvizjes [së Hamasit] që po merr pjesë në bisedimet aktuale në Egjipt po punon për t’i tejkaluar të gjitha pengesat për të arritur një marrëveshje që i përmbush aspiratat e popullit tonë në Gaza” – tha Barhoum në një deklaratë të transmetuar në televizion.
Sipas tij, marrëveshja do të duhej t’i siguronte përfundimin e luftës dhe tërheqjen e plotë izraelite nga Rripi i Gazës – kushte që Izraeli nuk i ka pranuar kurrë. Ky shtet kërkon që Hamasi të çarmatoset, gjë që refuzohet nga grupi palestinez.
Hamasi kërkon armëpushim të plotë dhe gjithëpërfshirës, tërheqje të plotë të forcave izraelit dhe nisje të menjëhershme të procesit gjithëpërfshirës të rindërtimit nën mbikëqyrjen e një “organi burokratik kombëtar” palestinez, tha zyrtari i lartë i grupit.
Duke i nënvizuar pengesat që shtrihen para bisedimeve, një grup i fraksioneve palestineze, përfshirë Hamasin, lëshoi një deklaratë duke u zotuar për “qëndrim rezistence me të gjitha mjetet” dhe duke thënë se “askush nuk e ka të drejtën që t’i dorëzojë armët e popullit palestinez”.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, nuk e komentoi menjëherë statusin e bisedimeve.
Zyrtarët amerikanë kanë lënë të kuptohet se ata duan që fillimisht të përqendrohen të ndalja e luftimeve dhe te logjistika e lirimit të pengjeve izraelite dhe të burgosurve palestinezë. Sidoqoftë, Katari, njëra nga palët ndërmjetësuese, ka thënë se duhet të punohet në shumë hollësi, duke lënë të kuptohet se arritja e një marrëveshjeje nuk pritet së shpejti./Nacionale