Haliti: Zhvillimet në veri janë paralajmëruar kohë më parë, kanë qëllim destabilizues
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka folur rreth situatës në veri të Mitrovicës.
Ai tha në Klan Kosova se këto zhvillime janë paralajmëruar shumë kohë më parë i cili ka thënë se kanë qëllim destabilizimin e veriut, që sipas tij gradualisht po ndodhë.
“Zhvillimet në veri kanë qenë të paralajmëruara shumë kohë më parë, nuk janë çështje e sotme, por forcat regresive në veri në bashkëpunim me presidentin e Serbisë dhe me struktura të tjera, të cilat operojnë në variante të ndryshme, kanë bërë projektin që e kam paralajmëruar shumë kohë më parë, i cili do ta destabilizojë dhe dezintegrojë veriun dhe kjo gradualisht po ndodh. Po ndodhin ngjarje që njëra pas tjetrës shkojnë në këtë drejtim”, ka thënë Haliti.
Deputeti shtoi se tash e 15 vjet është diskutuar për integrimin e veriut të Kosovës në institucionet e vendit.
“Po e krahasoj të kaluarën që për rreth 15 vjet është diskutuar për ta integruar veriun e Kosovës në institucionet e Kosovës, për t’i krijuar institucionet edhe pse kanë qenë të brishta, edhe pse dikush mund të thotë që nuk kanë funksionuar në përputhje me ligjet, ose kanë lejuar veprime të ndryshme kriminale në veriun e Kosovës, kjo qëndron, por ajo që ka qenë dhe është interes i Kosovës është integrimi i veriut të Kosovës”, ka shtuar ai.
