Haliti: PDK s’duhet ta përjashtojë një marrëveshje me VV-në, duhet të diskutohet në parti - NACIONALE

Haliti: PDK s’duhet ta përjashtojë një marrëveshje me VV-në, duhet të diskutohet në parti

2 javë më parë

nga NACIONALE

Partia Demokratike e Kosovës nuk duhet ta përjashtojë mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje politike me Lëvizjen Vetëvendosje, ka thënë ish-deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti.

Sipas tij, një bashkëpunim i mundshëm ndërmjet dy partive duhet të mbështetet fillimisht në një marrëveshje për bashkëqeverisje dhe jo vetëm për zgjedhjen e presidentit.

Haliti është shprehur se çdo marrëveshje politike duhet të garantojë një program të përbashkët qeverisës, i cili do të zbatohej përgjatë një mandati të plotë katërvjeçar.

Sipas tij, brenda PDK-së ekzistojnë qëndrime të ndryshme lidhur me një koalicion të mundshëm me Vetëvendosjen, duke shtuar se kjo çështje duhet të shqyrtohet dhe të vendoset në organet drejtuese të partisë.

“Unë po them që ne mund të merremi vesh për presidentin, por paraprakisht duhet të merremi vesh për qeverinë, për bashkëqeverisje. Në qoftë se Partia Demokratike pranon bashkëqeverisjen, edhe VV-ja pranon bashkëqeverisjen me Partinë Demokratike, atëherë zgjidhet presidenti dhe fillojnë negociatat për zbatimin e një projekti të përbashkët, një programi të përbashkët i cili duhet të zgjasë 4 vjet qeverisje… Unë po them numrat janë. Nuk jemi të gjithë një mendje. Domethënë që ka edhe kundër koalicionit në PDK ka zëra edhe kundër një koalicioni me VV-në. Kjo çështje duhet të diskutohet në organet e partisë, duhet të diskutohet në këshill drejtues. Në qoftë se s’ka pajtueshmëri, po them të duhur, atëherë normalisht është demokratike dy mendimet futen në vota dhe ajo del një vendim i cili është i obliguar për të gjithë. Unë kam mendimin tim. Që nuk është keq me bë marrëveshje. Sepse ne nuk jemi armiq në mes veti. Jemi kundërshtarë politikë. Nuk e besoj që bëhet, të drejtën me ju thënë. Por, gjithçka mund të ndodhë”, ka thënë ai për Kosovapress.

Lajme të ngjashme