Halimi e LDK-së për spotin e VV-së: Partia në pushtet duhet të ndalë propagandën
Zëdhënësja politike e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, ka reagur në lidhje një video dy minutshe të shpërndarë nga Lëvizja Vetëvendosje në faqen zyrtare të tyre në Facebook ku subjekti në pushtet akuzon ish-qeveritë e kaluara dhe figurat e ish-pushteteve për shkatërrimin, sipas tyre, 20 vjeçar të shtetit.
Halimi mendon se kjo qasje nuk i kontribon zhvillimit të shtetit, teksa thotë se kjo “propagandë” duhet të ndalet nga partia në pushtet, që për zyrtaren e LDK-së pushteti po ndjek “rrugën autoritariste”.
“Emetimi i spotit pikërisht në ditën kur fillon mësimi e ndalen pagat e mësimdhënësve, tregon për rrugën autoritariste që po e ndjekë kjo parti. Shqetësuese, skenari i përgatitur për thellim krizash. Kosova meriton qeverisje, në krijimin e mirëqenies për qytetarët, jo synim e përpjekje për të mbytur zërin kritik në ujërat e turbullta të pushtetit autokratik”, ka shkruar Halimi.
Halimi “rekomandon” kryeministrin të fokusohet në vlerat e demokracisë, përndryshe sipas saj Kosova po bëhet e pajetueshme.
“Trajtimi i të gjithë të tjerëve që nuk janë pjesë e pushtetit si armiq të shtetit është vesi më i keq i pushtetarëve me prirje autoritare. Kurse bindja se "shteti jam unë" po ashtu është armiku dhe kërcënimi më i madh i çdo rendi demokratik. Të gjitha demokracitë deri me sot kanë vdekur pikërisht kur paranoja të tilla janë bërë model i sjelljes politike të pushtetit”, ka shkruar Halimi.
