Gruda: S’jemi pishman që s’i shkuam Kurtit në takim, nuk kemi nevojë të marrim pjesë në një teatër politik
Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda ka thënë se përgjigja “jo” për takim me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti ka qenë e thjeshtë pasi nuk ka ndryshuar asgjë.
Gruda në Debat Plus ka thënë se Kurti “po dëshiron t’i marrë të gjitha pushtetit”, derisa po përpiqet ta krijojë përshtypjen se po e ndan pushtetin me opozitën.
“Nuk jemi pishman, sepse kjo nuk është një përgjigje e marrë me ngut, as pa një diskutim dhe as si rezultat i ndonjë inati. Përgjigjja ‘jo’ është fare e thjeshtë, sepse nuk ka ndryshuar asgjë para zgjedhjeve të 7 qershorit”, ka deklaruar ai.
“Zoti Kurti i ka shfaqur të njëjtat pritje dhe ambicie. Ai po do t’i marrë të gjitha pushtetet, përfshirë edhe postin e presidentit. Po përpiqet të krijojë përshtypjen se po e ndan pushtetin me opozitën, por nuk po e ndan atë”, ka thënë Gruda.
Tutje, ai ka shtuar se PDK nuk ka nevojë të marrë pjesë “në një teatër politik”.
“Ne nuk kemi nevojë të marrim pjesë në një teatër politik, ku shkohet në takime vetëm për të prodhuar lajme që i duhen Kurtit”, është shprehur ai.