Gruda: Pushteti e shkeli përsëri Kushtetutën, Ligjin për KPMShCK-në do ta dërgojmë në Kushtetuese
Koordinatori për Drejtësi në kuadër të Kabinetit për Qeverisje të Mirë të PDK-së, Përparim Gruda, ka paralajmëruar se shumë shpejt kjo parti do ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese Ligjin për Këshillin e Pavarur Mbikqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, i cili dje është miratuar në Kuvend.
Në profilin e tij në “Facebook”, Gruda ka shkruar se ky ligj është antikushtetues.
“Tendencat e këtij pushteti që përmes shkeljeve kushtetutese të vë nën kontrollë institucione të ndryshme shtetërore – nuk kanë të ndalur. Dje, shumica parlamentare ka miratuar Ligjin për Këshillin e Pavarur Mbikqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës. Edhe ky ligj, sikur shumë të tjerë paraprak, është anti-kushtetues. Në ditët në vijim, PDK do t’i drejtohet edhe zyrtarisht Gjykatës Kushtetuse me kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtij ligji”, ka thënë Gruda.
Sipas tij, përveç se paaftësi, tashmë realizimi i qëllimeve politike të pushtetit në mënyrë anti-kushtetutese, është shndërruar edhe në normë.
“Përveç se paaftësi, tashmë realizimi i qëllimeve politike të pushtetit në mënyrë anti-kushtetutese, është shndërruar edhe në normë. PDK nuk do ta lejojë këtë qasje dhe çdo herë, përmes mekanizmave të saj, do ta mbrojë Kushtetutën e vendit!”, ka shkruar ai.