Glauk Konjufca takohet me presidentin në largim, Ilir Meta
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka pritur sot në takim presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, i cili së bashku me bashkëpunëtorët po qëndron për një vizitë zyrtare në Kosovë me rastin e përmbylljes së mandatit të tij.
Siç njofton Kuvendi, Konjufca dhe presidenti Meta shkëmbyen mendime për zhvillimet në rajon dhe më gjerë, ecurinë e proceseve integruese dhe domosdoshmërinë e bashkërendimit të veprimeve përballë proceseve që kanë përpara vendet tona.
“Kryetari Konjufca i shprehu mirënjohje presidentit Meta për bashkëpunimin dhe mbështetjen që i ka dhënë Kosovës jo vetëm si president i Shqipërisë, duke i dëshiruar suksese në angazhimet e ardhshme. Nga ana e tij, presidenti Meta e falënderoi kryetarin e Kuvendit për pritjen dhe vuri në pah, siç tha, sukseset e arritura së bashku dhe nevojën e një bashkëpunimi sa më të ngushtë mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
“Gjithçka e lidhë Shqipërinë me Kosovën. Tërësia identitare, historia, gjuha, besimi, kultura, tradita, zakonet, interesat dhe perspektiva euroatlantike. Është e rëndësishme të bashkëpunojmë sa më shumë, t’i fuqizojmë sa më parë marrëveshjet e ndërsjella dhe të mos krijojmë debate të panevojshme”, ka theksuar presidenti Meta.