Gjykata shpall sot aktgjykimin ndaj Xhelal Sveçlës për gazin lotsjellës
Gjykata pritet të shpallë sot, më 2 shtator, aktgjykimin ndaj ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.
Seanca gjyqësore ka përfunduar më 28 gusht. Prokuroria ka kërkuar që Sveçla të shpallet fajtor, duke pretenduar se provat dhe pamjet filmike dëshmojnë se ai kishte aktivizuar dhe hedhur një bombolë gazi lotsjellës në sallën e Kuvendit.
Në anën tjetër, mbrojtja ka kërkuar aktgjykim lirues, me argumentin se nuk është dëshmuar përtej dyshimit të arsyeshëm se Sveçla ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.
Rasti lidhet me ngjarjen e 21 marsit 2018, gjatë seancës për ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.
Ndërsa vetë Sveçla është deklaruar i pafajshëm.