Gjykata e shtyn ekzekutimin e këmbimit të pronave për ish-klientët e Përparim Ramës
Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka shtyrë ekzekutimin e vendimit të Kuvendit Komunal të Prishtinës për këmbimin e pronës në “Prishtina e re” me pronat në Zllatar.
Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi nga drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj.
Ai ka thënë se një vendim i tillë ka ardhur pas kërkesës e IKD-së e cila tashmë është aprovuar.
“Prishtinë, 6 shkurt 2024 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative e ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), ashtu që ka vendosur që të shtyhet ekzekutimi i vendimit të Kuvendit të Komunës së Prishtinës për këmbimin e pronës së kësaj Komune në “Prishtina e re”, me pronat në Zllatar. Duke aprovuar kërkesën e IKD për shtyrje të ekzekutimit të vendimit, Gjykata vendosi se ky vendim nuk do të ekzekutohet, deri në momentin kur Gjykata të vendosë mbi meritat e këtij rasti.” – ka shkruar ai.