Gjykata e lartë franceze e bllokon ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç - NACIONALE

Gjykata e lartë franceze e bllokon ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç

1 orë më parë

nga NACIONALE

Një gjykatë e lartë e Francës të premten bllokoi një projektligj me të cilin do t’u ndalohej qasja në rrjete sociale fëmijëve nën moshën 15-vjeçare, duke thënë se legjislacioni e cenon lirinë e të shprehurit dhe duke i dhënë një goditje presidentit Emmanuel Macron, i cili kërkoi nga ekzekutivi që ta rishkruajë legjislacionin.

Me këtë projektligj do t’u ndalohej fëmijëve nën 15 vjeç hapja e llogarive në rrjete sociale nga 1 shtatori. Llogaritë që tashmë janë hapur do të mbylleshin brenda katër muajve nga platformat e rrjeteve sociale, të cilat gjithashtu do të duhej ta vërtetonin moshën e përdoruesve sipas miratimit nga rregullatori francez i privatësisë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Megjithatë, Këshilli Kushtetues i Francës vlerësoi se projektligji, përderisa kërkon nga të gjithë që të japin dëshmi të moshës, dështoi “që t’i saktësojë kushtet dhe kufizimet” nën të cilat ato do të ofroheshin, si dhe i cenoi liritë dhe privatësinë.

“Këshilli vlerëson se dispozitat e kontestuara, në njërën anë, i cenojnë në mënyrë joproporcionale lirinë e shprehjes dhe komunikimin dhe, në anën tjetër, dështojnë që të ofrojnë masa sigurie ligjore të nevojshme për ta garantuar të drejtën për respektim të jetës private” – thuhet në vendim.

Ligjvënësit francezë e kishin miratuar projektligjin në korrik, duke e bërë Francën vendin e parë të Evropë që do ta ndiqte shembullin e Australisë, shtet që në dhjetor ua ndaloi të rinjve nën 16 vjeç qasjen në disa platforma, përfshirë Facebook-un, Snapchat-in, TikTok-un, dhe YouTube-n. Ligjvënësit atje po shqyrtojnë gjoba më të ashpra, pasi të dhënat treguan sukses të pjesshëm.

Lajme të ngjashme