Gjykata aprovon kërkesën e prokurorit, për sekuestrimin e përkohshëm të villave në Brezovicë
Në listën e cila u publikua para disa javëve, ku shiheshin emra gjyqtarësh, politikanësh e biznismenësh, si pronarë të villave të cilat prokurori Rasim Maloku, kishte ndarë mendjen t’i sekuestroj, tashmë e kanë edhe aprovimin e Gjykatës.
Lajmin për sekuestrimin e përkohshëm të 75 pronave e ka konfirmuar për “Betimin për Drejtësi”, Shaqë Curri, gjykatës i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore në Pejë.
“Kam urdhëruar sekuestrimin e përkohshëm”, ka thënë Curri për Betimin.
Për këto villa të sekuestruara, javë më parë, ishte raportuar në media.
Më shumë për rastin
Mbi 70 ndërtime, kryesisht vila, janë sekuestruar javë më parë në Brezovicë. Kjo pasi prokuroria po pretendon se këto ndërtime, kanë qenë në kundërshtim me ligjin.
Ky aksion është në vazhdën e disa aksioneve të tjera për ndërtimet në Brezovicë, që ka nisur qysh në vitin 2021.
Këtu dyshohet se janë pëfshirë kryetari i komunës së Shtërpcës, zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit e inspektorë.
“Andaj, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë sekuestruar përkohësisht rreth njëqind (100) objekte ndërtimore, të cilat sipas Prokurorisë, janë ndërtuar duke keqpërdorur detyrën zyrtare nga të pandehurit në këtë rast, me lëshimin e lejeve ndërtimore në kundërshtim me ligjet që rregullojnë Parkun Kombëtar “Sharri”, me marrje të ryshfetit, dhënie të ryshfetit, me çka kanë degraduar mjedisin në këtë zonë, kështu që edhe objektet janë rrjedhojë e veprave penale të përshkruara më lartë”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë së Ferizajt.
Para këtij aksioni, Prokuroria e Ferizajt kishte zhvilluar inspektime edhe në terren, për të vërtetuar se ndërtimet atje janë në kundërshtim me ligjin.
Aksioni i fundit ishte zhvilluar më 21 shtator. Aty u arrestua edhe asamblisti i Vetëvendosjes në komunën e Prishtinës, Berat Lahu.
Përveç Lahut, në aksionin e fundit për rastin Brezovica, ishin arrestuar edhe 6 persona të tjerë, duke e dërguar në 36 numrin total të personave të arrestuar për këtë rast. Një numër prej tyre janë në paraburgim, kurse disa tjerë janë në arrest shtëpiak ose me masa tjera të caktuara nga Gjykata.
Lahu si ish-punëtor i KEDS-it e zyrtarë të tjerë, po dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Në mesin e të arrestuarve kishte qenë edhe ish-kryetari i Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq.