Gjoshi për presidenten Osmani: Qindra-mijëra euro të shpenzuara dhe rezultati i tmerrshëm
Anëtari i PDK-së, Betim Gjoshi, ka thënë se pavarësisht vizitave të shumta të presidentes Vjosa Osmani dhe shpenzimet e udhëtimeve, Kosova nuk ka përfituar asnjë njohje.
Gjoshi pretendon se vizitat e presidentes Osmani janë ekskursione pa asnjë përfitim.
“Qindra-mijëra euro të shpenzuara në pak muaj dhe rezultati i tmerrshëm i Presidentes: asnjë njohje dhe asnjë investim i sjellë në Kosovë. Të gjitha vizitat e saj janë ekskursione pa asnjë përfitim për Republikën e Kosovës. Presidentja nuk mund të ofrojë asnjë fakt vetëm për një rezultat të vetëm të saj nga këto udhëtime. E sfidoj, nëse ka, le t'i bëjë të ditura këto rezultate.”, ka shkruar ai në Facebook.
Ndërkohë, Zyra e Presidentes ka publikuar shpenzimet për periudhën janar-qershor 2022, ku bëhet e ditur se janë shpenzuar 86 mijë euro nga buxheti i Kosovës.
Presidentja, Vjosa Osmani së bashku me kabinetin e saj që përbëhet nga 19 persona, kanë shpenzuar 75 mijë euro.
Nga të dhënat që ka publikuar Zyra e Presidentes, del që 48 mijë e 968 euro janë shpenzuar vetëm për bileta të udhëtimeve jashtë vendit.
Ndërsa për akomodim gjatë udhëtimeve jashtë vendit, Osmani dhe stafi i saj kanë shpenzuar 12 mijë euro.
Për dreka e darka zyrtare janë shpenzuar 3 mjë e 455 euro.
Ndërkaq, administrata, ish-presidentët dhe Këshilli Konsultativ për Komunitete, kanë shpenzuar afro 11 mijë euro.