Gjini kërkesë për Nagavcin: Orët e humbura të mësimit të kompensohen gjatë ditëve të punës, e jo në fundjavë
Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, ka njoftuar në Facebook, se dje i ka parashtruar një kërkesë ministres së arsimit, Arbërije Nagavci.
Gjini, në kërkesën e tij ka problematizuar çështjen e zëvendësimit të orëve të humbura në fundjavë. Sipas kryetarit të Gjakovës, është e udhës, që këto orë të zëvendësohen, gjatë ditëve të punës.
Madje Gjini ka konkretizuar propozimin e tij, duke shtuar se orët duhet kompenzuar gjatë ditëve të punës, pesë orë shtesë në javë për çdo klasë, deri në kompensimin e plotë.
Statusi i plotë i Gjinit:
ORËT E HUMBURA TË MËSIMIT DUHET TË KOMPENSOHEN GJATË DITËVE TË PUNËS JO NË FUNDJAVË DHE GJATË DITËVE TË PUSHIMIT
Ministria e Arsimit duhet ta ndryshojë vendimin për kompensimim e orëve të punës të humbura gjatë grevës.
Orët e punës duhet të kompenzohen, por jo gjatë fundjavës dhe ditëve të pushimit.
Fillimisht, fëmijët do të stërlodhen. Edhe familjet e tyre.
Së dyti, për shkak të pasigurisë që na pret si pasojë e krizës energjetike, shpenzimi i energjisë do të jetë shumë më i lartë dhe me rrezik të pamundësisë për t’i ngrohur shkollat.
Edhe bartja e nxënësve, që është obligim ligjor i yni, do të jetë më e vështirë për shkak të çmimit të karburantit.
Prandaj orët duhet kompenzuar gjatë ditëve të punës, pesë orë shtesë në javë për çdo klasë dhe nxënës deri në kompensimin e plotë.
Për këtë, dje ia kam dërguar një letër ministres së arsimit dhe nuk kam marrur përgjegje.