Gjermania zgjat mandatin e ushtarëve gjermanë në Kosovë
Bundestagu gjerman miratoi me shumicë të gjerë votash zgjatjen edhe me një vit të pjesëmarrjes së ushtarëve gjermanë në kuadër të KFOR-it. Shumë deputetë u shprehën për liberalizimin e regjimit të vizave.
Parlamenti gjerman miratoi vazhdimin e pjesëmarrjes së Bundeswehr-it në KFOR. Kërkesa përkatëse e qeverisë gjermane u miratua me vota nga pozita (socialdemokrate, Të Gjelbrit dhe liberalët) dhe Unioni Kristiandemokrat dhe Kristiansocial. (CDU/CSU), që ndodhet në opozitë.
Shumica e folësve në debatin 40-minutësh theksuan domosdoshmërinë e prezencës gjermane në kuadër të KFOR-it, si faktor stabilizues në rajon.
Volker Ulrich, nga CDU/CSU tha se “njerëzit në rajon duhet të kenë besim te Evropa. Dhe për Kosovën kjo do të thotë se nuk duhet të drejtojmë apele vetëm për përmirësimin e raporteve mes Serbisë dhe Kosovës, por edhe të mbështesim anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, si shkallë e parë e perspektivës së anëtarësimit në BE.”
Kundër zgjatjes së mandatit u shprehën – si gjithmonë – dy partitë ekstreme: majtistët (Die LInke) dhe djathtistët (AfD).
Gjermania merr pjesë prej vitit 1999 në trupën paqeruajtëse të KFOR-it në Kosovë. Mandati parashikon dërgimin e deri në 400 ushtarëve gjermanë. Kontingjenti gjerman i KFOR-it mbetet kështu i njëjti si më parë, por Gjermania po e shton praninë ushtarake në Ballkanin Perëndimor, me pjesëmarrje në misionin EUFOR /Althea në Bosnjë-Hercegovinë. Bundestagu gjerman gjithashtu e miratoi këtë të premten në pasdite.