Gjermania premton më shumë tanke anti-ajrore për Ukrainën - NACIONALE

Gjermania premton më shumë tanke anti-ajrore për Ukrainën

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Kancelari gjerman Olaf Scholz, është zotuar të martën që të dërgojë më shumë tanke anti-ajrore Gepard në Ukrainë.

"Ne do të vazhdojmë të punojmë për ta siguruar atë sistem shumë efikas," është shprehur kancelari Scholz gjatë një konference të përbashkët shtypi me organizatat financiare dhe ekonomike botërore.

“Presidenti ukrainas ka shprehur mirënjohjen e tij për mbështetjen shumë të gjithanshme të Gjermanisë në terma monetarë, por edhe në aspektin e dërgesave të armëve, sepse artileria dhe sistemet e mbrojtjes ajrore që ne ofrojmë kanë një ndikim shumë domethënës në aftësinë e Ukrainës për të garantuar integritetin dhe sovranitetin e saj,” është shprehur Scholz para gazetarëve.

Ndërkohë, sipas një njoftimi për shtyp të qeverisë, presidenti ukrainas më herët gjatë ditës ka zhvilluar një telefonatë me Scholz-in, ku e ka njoftuar atë për sulmet ajrore ruse mbi infrastrukturën civile, furnizimet me ujë dhe energji elektrike.

Zëdhënësi i qeverisë Steffen Hebestreit, tha se kancelari ka dënuar bombardimet e vazhdueshme dhe e ka siguruar Ukrainën për ndihmë të mëtejshme afatshkurtër. Ai po ashtu njoftoi se qeveria gjermane ka ofruar ndihmë financiare afatshkurtër për riparimin e infrastrukturës energjetike në shumën prej rreth 56 milionë euro si dhe dërgimin e 350 gjeneratorëve, për të lehtësuar gjendjen në vend, pas ndërprerjeve të energjisë elektrike për shkak të granatimeve ruse.

Lajme të ngjashme