Gjermania po bën "gabim" që po mban anën e NATO-s, thotë Putin
Presidenti rus Vladimir Putin, duke folur në një konferencë shtypi në Astana të Kazakistanit ka thënë se Gjermania është duke bërë “gabim” që ka marrë anën e NATO-s në konfliktin në Ukrainë.
"Gjermania vendosi që angazhimet ndaj disa marrëveshjeve ndërkombëtare, përfshirë NATO-n, kishin përparësi ndaj interesave të brendshme. Unë besoj se ky është një gabim dhe ekonomia e saj dhe qytetarët po vuajnë. Përndryshe, ato nuk do të dëmtonin tubacionet e gazit Nord Stream," është shprehur Putin.
Ai më tej ka shtuar se, “një linjë e gazsjellësit Nord Stream 2 është në gjendje pune, nuk po merrët një vendim për nisjen e tij dhe nuk ka gjasa të merret, por nuk është puna jonë".
I pyetur nëse do të zhvillonte bisedime me presidentin amerikan Joe Biden, Putin ka thënë se kjo pyetje duhet t’i bëhet Biden-it.
"Ju duhet ta pyesni atë (Biden) nëse ai dëshiron të zhvillojë bisedime me mua. Tani për tani, nuk e shoh nevojën për negociata me Biden derisa të shoh një platformë për këtë," ka thënë Putin.