Gjermania e përsërit kërkesën: Të pezullohet zbatimi i rregullorja e BQK-së
Tashmë shtetet aleate të Kosovës e kanë shtruar kërkesën për pezullimin e zbatimit të rregullores së re të BQK-së, e cila e ndalon përdorimin e dinarit në Kosovë.
Këtë qëndrim e ka përsëritur sërisht Gjermania, një nga vendet më aleate të Kosovës.
Në një përgjigje për Express, Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka kërkuar të pezullohet zbatimi i rregullores së BQK-së.
“Ndaj, qeveria gjermane kërkon ende që të pezullohet zbatimi i rregullores. Kjo do t’i jepte qeverisë së Kosovës mundësinë që në mënyrë adekuate të përgatisë fushatën e nevojshme informuese dhe ndërgjegjësuese dhe të adresojë çështjen se si pagesat ndërmjet Serbisë dhe Kosovës mund të lehtësohen dhe procesohen në mënyrë transparente dhe me kosto efektive në përputhje me ligjet kosovare”, ka deklaruar Ambasada e Gjermanisë.
Tutje, kjo ambasadë ka vlerësuar se periudha njëmujore e tranzicioneit, e propozuar nga Qeveria e Kosovës, është një shenjë pozitive
“Periudha e propozuar njëmujore e tranzicionit është një shenjë pozitive se qeveria e Kosovës është e gatshme të adresojë shqetësimet që dalin nga miratimi i nxituar i rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës. Megjithatë, një periudhë kaq e shkurtër tranzicioni, pa përgatitur një fushatë adekuate informuese dhe ndërgjegjësuese, nuk i plotëson kërkesat e një procesi gjithëpërfshirës dhe transparent që përfshin në mënyrë adekuate njerëzit e prekur”, ka vlerësuar Ambasada e Gjermanisë në Kosovë.