Gjenerali amerikan thotë se ushtria ruse dhe ajo ukrainase kanë pësuar njësoj në luftë
Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, Gjeneral Mark Milley, ka vlerësuar se rreth 100.000 ushtarë rusë dhe 100.000 ushtarë ukrainas janë vrarë ose janë lënduar në luftën e Ukrainës.
Sipas zyrtarit më të lartë ushtarak amerikan, përpos ushtarëve, rreth 40.000 civilë kanë vdekur gjatë luftës. Ky vlerësim i përbën shifrat më të larta që janë ofruar deri më tani nga një zyrtar perëndimor, raporton televizioni BBC.
Milley gjithashtu tha se shenjat që Kievi është i gatshëm për të hyrë përsëri në bisedime me Moskën ofrojnë një “dritare” për bisedime.
Ditëve të fundit, Ukraina ka dhënë shenja për gatishmëri për të zhvilluar bisedime me Rusinë, pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, hoqi dorë nga kërkesa e tij që homologu rus, Vladimir Putin, të largohet nga pushteti para rifillimit të bisedimeve.
Sidoqoftë, gjenerali amerikan tha se që bisedimet të jenë të suksesshme, Rusia dhe Ukraina duhet të pranojnë së bashku se fitorja në kohë lufte “ndoshta nuk është e arritshme përmes mjeteve ushtarake, prandaj duhet t’u kthehen mjeteve të tjera”.