Gjenden mbetje mortore të tre individëve gjatë gërmimeve në Kalludër të Zubin Potokut
Gjatë gërmimeve në fshatin Kalludër të Zubin Potokut janë gjetur mbetje eshtërore që dyshohet se u përkasin tre individëve.
Sipas autoriteteve, mbetjet dyshohet se janë të viktimave të luftës së fundit në Kosovë.
“Fsh. Kalludër, Zubin Potok / 19.04.1999 – NN. Me datën 14.08.2026 njësitë përkatëse policore kanë gjetur mbetjet eshtërore të tre (3) individëve, të cilat sipas ekspertit mjeko-ligjor janë me prejardhje njerëzore dhe janë me interes forenzik. Mbetjet eshtërore dyshohet që janë të viktimave të luftës së fundit në Kosovë”, thuhet në raportin 24-orësh të policisë.
Gjetja e këtyre mbetjeve vjen pas një hetimi rreth dyvjeçar nga autoritetet e Kosovës. Hetimi fillimisht çoi në arrestimin e dy personave të dyshuar për krime lufte, ndërsa më pas nisën gërmimet në një lokacion në Zubin Potok, ku dyshohej se ndodhej një varrezë masive.
Brenda pak ditësh, në këtë lokacion u zbuluan mbetje mortore. Ndërkohë, autoritetet arrestuan edhe një person tjetër të dyshuar për krime lufte dhe identifikuan lokacione të tjera ku dyshohet se mund të ketë mbetje mortore.