Gërvallës s`i intereson ligji: Mërgata do të votojë më 9 shkurti, zhurmaxhinjtë le ta studiojnë ligjin
Ministres se Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, i kanë penguar kritikat monitorueseve të zgjedhjeve për propozimet e MPJD-së lidhur numrin e qendrave të votimit jashtë vendit.
Duke iu përgjigjur këtyre kritikave, ajo ka thënë se e drejta e mërgatës për të votuar është e drejtë themelore demokratike e garantuar me Kushtetutë.
Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se kritikuesit e propozimeve të MPJD-së janë vetëm zhurmaxhinjë, të cilët, sipas saj, i pengon vota e mërgatës.
Të njëjtin, ajo i ka ftuar që të qetësohen dhe të lexojnë ligjin.
“Zhurmaxhinjtë, të cilët kaq herët paska filluar t’i pengojë mundësimi i votimit të mërgatës në ambasada dhe misione anekënd botës, i këshilloj të qetësohen dhe të studiojnë ligjin. Ka kaluar njëherë e përgjithmonë koha kur për motive të ulëta politike, vota e mërgatës pamundësohej dhe gjymtohej deri në ekstrem. Mërgata është pjesë e pazëvendësueshme e Kosovës. Në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 ajo do të mund të votojë pa barriera burokratike dhe administrative dhe për herë të parë edhe në ambasada dhe konsullata, por edhe përmes postës, pra ashtu siç e përcaktojnë Kushtetuta dhe ligjet e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Gërvalla.
Eugon Cakolli nga KDI, i cili vazhdimisht monitoron procesin zgjedhor në Kosovë, është shokuar me propozimin e MPJD-së për të hapur qendra të votimit në 35 përfaqësi diplomatike të Kosovës.
Ai ka bërë me dije se në këto qendra të votimit parashihet të votojnë mbi 360 mijë qytetarë.
Në profilin e tij në “Facebook”, Cakolli ka shkruar se një gjë e tillë është e pamundur të realizohet.
Sipas tij, ky propozim është në kundërshtimin edhe me ligjin për zgjedhje.
“Ende pa filluar mirë, veçse kanë nisur problemet e para me votimin jashtë vendit. Ndonëse sot është dashur që të publikohet lista e qendrave të votimit jashtë vendit – në mënyrë që votuesit të mund të regjistrohen – kjo nuk do të ndodhë. Ministria e Punëve të Jashtme, jashtë çdo standardi të votimit, ka propozuar që si qendra të votimit të hapen gjithsej 35 përfaqësi diplomatike (me rreth 45 vendvotime), ku sipas tyre, do të mund të votojnë plot 𝟑𝟔𝟎 𝐌𝐈𝐉𝐄̈ 𝐐𝐘𝐓𝐄𝐓𝐀𝐑𝐄̈. Kjo është 1) teknikisht e pamundur – meqë i bie që në 12 orë të votimit, brenda secilit minut të votojnë 11 qytetarë; 2) në kundërshtim me ligjin – sepse numri maksimal i votuesve për vendvotim është 750 votues; dhe 3) tendencë për pengim të procesit, e mbase edhe për krijim të përshtypjes se po tentohet pengimi i votimit të diasporës”, ka shkruar Cakolli.