Gërvalla tregon objektivat si ministre e Drejtësisë: Sundimi i ligjit nuk është opsion
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka treguar për objektivat e saj në udhëheqjen e këtij dikasteri.
Ajo ka bërë me dije se sundimi i ligjit nuk është opsion, por detyrim.
Në profilin e saj në Facebook, ajo ka shkruar Qeveria ka ndarë 44.6 milionë euro për vitin 2026.
“Sundimi i ligjit nuk është opsion, por detyrim i Republikës së Kosovës. Është detyrë e pamohueshme dhe e domosdoshme për të garantuar drejtësi të barabartë, për të eliminuar vonesat, procedurat burokratike dhe pengesat politike, për të luftuar korrupsionin në çdo nivel, krimin e organizuar dhe çdo abuzim tjetër me pushtetin. Ky është mjeti i vetëm për të ndëshkuar padrejtësitë, për të mbrojtur qytetarët dhe për të krijuar institucione të qëndrueshme që funksionojnë sipas ligjit, pa asnjë kompromis. Pa një sistem të fortë drejtësie, nuk ka shtet të fortë ligjor”, ka shkruar ajo, duke dhënë detaje tjera.
“Në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndarë 44.6 milionë euro për vitin 2026, rritje kjo e jashtëzakonshme krahasuar me 29 milionë sa ishte në vitin 2020. Këto mjete do të përkthehen në forcim të kapaciteteve institucionale, në zbatim më efektiv të reformave në drejtësi, në përshpejtim të proceseve të digjitalizimit, në mbështetje për sistemin korrektues dhe në mekanizma më të fortë kundër luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në anën tjetër, drejtësia e sistemi ligjor fuqizohet, institucionet konsolidohen dhe proceset vendimtare për sundimin e ligjit përshpejtohen. Në Republikën e Kosovës, ligji nuk negociohet. Askush nuk guxon të jetë mbi ligjin”, ka shkruar ajo.