Gazetarja serbe viziton Kosovën: S’ka vend për frikë, kosovarët na ndihmuan pasi autobusi ynë u prish
Maria Çankoviq, gazetare serbe, ka vizituar disa qytete në Kosovë, ku përmes një video, ka deklaruar se “nuk ka vend për frikë”, ndryshe prej deklarimeve të autoriteteve serbe.
Në një bisedë për mediumin opozitar serb “Nova”, ajo ka deklaruar se ka përshtypje të mira nga vizita në Kosovë dhe se nuk kanë pasur asnjë problem.
“Kemi qenë në Patriarkanën e Pejës, më pas në Deçan, Prizren, Rahovec. Kemi fjetur në Hoqë të Madhe. Nuk kemi pasur asnjë problem.” – citohet se ka thënë ajo, sipas “Telegrafit”.
Madje, gazetarja ka treguar se kanë pasur një problem me autobus, por se kosovarët iu ndihmuan për të marrë një automjet tjetër për të lëvizur.
“Dua të ju them diçka se kur ishim me grupin e serbëve, autobusi ynë u prish në Pejë, dhe qytetarët e Kosovës na ndihmuan në organizim për të marrë një tjetër autobus për të na mundësuar lëvizjen...S’ka vend për frikë.” – tha ajo.