Kajtazi: Musliu urrehet për shkak të regjionit, përkatësisë politike dhe lidhjes me ish-krerët e UÇK-së
Gazetari Vehbi Kajtazi ka treguar tri arsyet pse urrehet deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu.
Ai ka bërë me dije se ajo fyerjet për shkak të regjionit nga vjen, përkatësisë politike dhe lidhjeve që ajo ka me ish-krerët e UÇK-së.
Në profilin e tij në “Facebook”, Kajtazi ka shkruar se këto sulme po bëhen në prag të “Epopesë së UÇK-së”.
“Kur lexon për kaq shpesh e kaq shumë sulme kundër deputetes Ganimete Musliu, dëgjon edhe komente për motivet e këtyre sulmeve. Mendoj se shumica e kanë gabim. Janë tjera arsye: Përkatësia regjionale; përkatësia politike; lidhjet e saj me ish-drejtues të UCK-së. Nesër bëhen 25 vjet nga sulmi barbar i pushtetit serb mbi Familjen Jashari. Komandanti, Adem Jashari identifikohet si komandant i UÇK-së. Pas vrasjes së tij, luftën e vazhduan dhe udhëhoqën komandant tjerë. Në krye të UÇK-së, ishin burra kryesisht të rajonit të Drenicës”, ka shkruar Katazi.
Më tej, ai ka treguar se çka bëhej në rajonet tjera gjatë asaj kohe.
“Ndërkohë që në fshatra të Kosovës, në Drenicë e Dukagjin luftohej, në Prishtinë disa jetonin mirë. Kishin status të lartë shoqëror. Dilnin kafeneve e restoranteve. Madje bënin edhe jetë të natës. Çlirimi dhe ardhja e “katundarëve” kryesisht nga Drenica në Prishtinë, për një pjesë të “elitës urbane”, konsiderohej ndotje e qytetit dhe ambientit të tyre. “Erdhën cubat e na prishën jetën” - ka qenë sintagma më e shpeshtë”, ka shkruar ai.