Funerali shtetëror i Mbretëreshës Elizabeth II do të mbahet më 19 shtator - NACIONALE

Funerali shtetëror i Mbretëreshës Elizabeth II do të mbahet më 19 shtator

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Pallati Buckingham ka njoftuar se, funerali shtetëror i Mbretëreshës Elizabeth II do të mbahet në Londër në orën 11:00, më 19 shtator.

Arkivoli i monarkes së ndjerë do të vendoset në Westminster Hall duke filluar nga e mërkura, duke i dhënë kështu një mundësi publikut për të bërë nderimet e tyre.

Mbretëresha vdiq në kështjellën Balmoral në Skoci të enjten dhe aktualisht po bëhen përgatitjet për transportimin e trupit të saj në Londër.

Pallati ka publikuar edhe disa nga detajet për udhëtimin e fundit të monarkes së ndjerë.

Në orën 10 të mëngjesit të nesërm, arkivoli i Mbretëreshës do të dërgohet në rezidencën zyrtare skoceze të familjes mbretërore britanike: Pallati i Holyroodhouse në Edinburg.

Të hënën, do të merret në procesion nga pallati në Katedralen e Shën Giles, ku do të pushojë deri të martën.

Më pas arkivoli do të zhvendoset nga Edinburgh në Buckingham Palace në Londër.

Të mërkurën, arkivoli do të zhvendoset përsëri, nga Buckingham Palace në Westminster Hall dhe do të jetë aty deri në mëngjesin e funeralit shtetëror të hënën, më 19 shtator.

Më 19 shtator, në orën 10:44, një procesion do të çojë arkivolin nga Pallati i Westminsterit në Westminster Abbey, ku do të zhvillohet shërbimi funeral shtetëror.

Pas funeralit, arkivoli do të merret përsëri në procesion nga Westminster Abbey në Wellington Arch. Nga atje, do të dërgohet në Windsor e me pas në kishëzën e Shën Gjergjit në Kështjellën Windsor për shërbimin e përkushtuar.

Lajme të ngjashme