FSK-së i shtohen edhe 251 ushtarë
Edhe 251 ushtarë iu bashkuan sot radhëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj në fjalimin e ceremonisë së betimit uroi ushtarët.
Fjalimi i Mehajt:
"I nderuar Zv.Kryeministër, z.Besnik Bislimi,
I nderuar Zv.Ministër Syla,
I nderuar Zv. Komandant i FSK-së, Gjeneral Cikaqi,
I nderuar, Zv. Komandant i KDS-së, Kolonel Lladrovci,
I nderuar Drejtor i NALT, Gjeneral Hoppe, partnerë e aleatë,
Të nderuar përfaqësues të shoqatave të dalura nga lufta, familjeve të dëshmorëve dhe familjeve të invalidëve të luftës,
Të nderuar familjar të rekrutëve,
Të nderuar rekrutë të Forcës së Sigurisë së Kosovës,
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Është kënaqësi e veçantë të jem këtu para jush, sepse sot përveç ceremonisë së certifikimit po shënojmë edhe një arritje të përbashkët, rritjen e personelit ushtarak, brenda një viti jemi me mbi 1000 ushtarakë më shumë.
Kjo rritje do të vazhdojë, pas 9 javësh do të diplomojnë edhe mbi 300 rekrutë, ndërsa në muajin shtator do të shpallim konkursin e ri për 612 ushtarë aktivë dhe 367 rezervë.
Për ta mbrojtur vendin tonë dhe për të siguruar paqen, ne na duhen personel i përgatitur dhe me pajisje moderne, për këto do të punojmë fort dhe pa u ndalur.
Të dashur ushtarë, ju keni qenë ëndrra më e madhe e popullit tonë, sot jeni realiteti më frymëzues e më krenar që kemi.
Sot përpos neve dhe familjarëve tuaj që jemi mbledhur këtu, e ndjej që sikur edhe dëshmorët tanë janë këtu me ne, ata janë krenar, ata janë pafundësisht krenar me ju. Ata janë të qetë sepse atdheun e kanë lënë në duar të sigurta.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës, është dhe do të mbetet gjithnjë krenaria jonë kombëtare, është ajo që ëndrrën për liri na e bëri realitet, është ajo që jeton brenda nesh.
Ne jemi të qëndrueshëm e të pathyeshëm si Adem Demaçi dhe jemi trima si Adem Jashari. Dy Adema na udhëheqin neve, njëri në aspektin politik, tjetri në aspektin ushtarak.
Të dy bashkë do të mbesin prijësit tanë të përjetshëm.
Të nderuar rekrutë, nga përvoja ime ushtarake kam kuptuar që ushtritë e mëdha e të fuqishme janë produkt i punës ekipore, vullnetit dhe dashurisë për atdheun që nuk ka çmim e nuk njeh pengesë.
Gjatë rrugëtimit tuaj do të përballeni me vështirësi, me pengesa e me rreziqe, jetët tona edhe mund të shuhen, por atdheu dhe populli ynë nuk do të shuhet kurrë.
Rruga drejt suksesit është e pamundur pa aleatët tanë, pa SHBA-në dhe NATO-në, ne do të kultivojmë gjithmonë raporte të shëndosha, të ndërtuara mbi bazën e sinqeritetit dhe besimit reciprok, sepse mbi të gjitha besimi ndërton aleanca të pathyeshme. Për besimin, për BESËN jemi të njohur ndër shekuj si popull.
Vizioni, misioni dhe amaneti ynë është anëtarësimi i Kosovës në NATO.
Ushtria e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës është e aftë dhe e gatshme që përkrah partnerëve tanë të jetë protagonist në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend, rajon dhe më gjerë. Sukseset tona janë të përbashkëta dhe rruga jonë është e përbashkët, sepse qëllimi dhe vlerat tona janë të njëjta.
Të dashur ushtarë, për fund edhe një herë më lejoni t’iu urojë për suksesin tuaj.
Të dashur prindër, sidomos ju të dashura nëna, faleminderit që edukuat e rritet vajza dhe djem fisnik. Për sa kohë që kultivojmë gjenerata të tilla, vendi ynë do të frymojë lirshëm.
Faleminderit, urime e shumë suksese."