Florin Krasniqi e padit Malin e Zi, kërkon 28 milionë euro
Ish-deputeti i Vetëvendosjes, njëherësh biznesmeni amerikan me origjinë nga Kosova, Florin Krasniqi, paditi Malin e Zi për ndalimin e ndërtimit të dy hidrocentraleve të vogla në lumin Gjuriçka në Plavë - pjesa veriore e Malit të Zi.
Ai kërkon më shumë se 28 milionë euro, tha për Radion Evropa e Lirë Bojana Qiroviq, mbrojtëse e interesave pronësore dhe juridike të Malit të Zi.
“Shteti u padit nga persona juridikë [kompanitë e Krasniqit] për dëme të pretenduara prej 1.2 milion eurosh dhe fitime të humbura prej 27 milionë eurosh, në lidhje me një marrëdhënie koncesionare kontraktuale për ndërtimin e hidrocentraleve të vogla në Plavë”, tha Qiroviq.
Kontrata për koncesionet me kompaninë e Krasniqit, për ndërtimin e hidrocentraleve të vogla, u nënshkrua në vitin 2014 nga Qeveria e kryeministrit të atëhershëm të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq.
Atëkohë, koncesionet u dhanë për 30 vjet.
Të dhënat se kur është ndërprerë kontrata, janë kontradiktore: Qeveria thotë fundi i vitit 2020, kurse, sipas Krasniqit, bëhet fjalë për fundin e vitit 2019.
Radio Evropa e Lirë, as pas shtatë ditësh, nuk mori përgjigje në pyetjet e dërguara tek avokatja Ana Gjukanoviq, motra e Millo Gjukanoviqit, e cila përfaqëson Krasniqin në mosmarrëveshjen me shtetin malazez.