Florida goditet nga uragani Nicole, mbi 300 mijë shtëpi pa energji elektrike
Më shumë se 300,000 shtëpi dhe biznese në Florida kanë mbetur pa energji elektrike pasi stuhia Nicole ka goditur shtetin amerikan.
Ndërsa janë parashikuar shira të dendur dhe stuhi, vendi ka vënë në fuqi gjendjet e emergjencës dhe urdhërat për evakuim.
Bëhet e ditur se deri më tani stuhia ka lënë dy viktima si dhe ka godituar tashmë në Bahamas si një uragan i madh i kategorisë një duke shkaktuar përmbytje të mëdha.
Nicole ka goditur bregdetin lindor të Floridës si një uragan me erëra deri në 75 mph të cilat më pas janë dobërsuar në rreth 60mph, duke u reduktuar kështu në një stuhi tropikale.
E ndërsa stuhia do të niset drejt Gjeorgjisë dhe Karolinës së jugut e veriut, pritet që të dobësohet edhe më tej. Parashikohet që më vonë gjatë kësaj jave mbetje nga stuhia mund të godasin edhe në Ohio, Pensilvani dhe Nju Jork.
