Flet serbi që iu dogj makina me targat “RKS”: I mbijetova terrorit
Qytetarit serb në pjesën veriore të Mitrovicës, Bojan Bozovic mbrëmë i është djegur vetura në Veriun e Mitrovicës.
Automjeti të cilin e ngiste Bozovic, kishte targat RKS i iu dogj pikërisht në ditën kur kanë hyrë në fuqi masat e reja të Qeverisë për targat. Dje ka nisur afati i qortimit të atyre që nuk i përmbahen kushteve të Qeverisë së Kosovës për targat.
E pikërisht dje vetura iu dogj këtij qytetari të pjesës veriore.
Për gjithë ngjarjen ka shkruar vet Bojan Bozovici në Facebook. Ai ka treguar se veturën e ka që 16 vite me regjistrim RKS.
“Fatkeqësisht, një lajm i keq. Sonte i mbijetuam terrorit. Frikacakët ma kanë vënë zjarrin makinës në oborr përballë shtëpisë në orën 3 të natës së kaluar. Falënderojmë zjarrfikësit që u përgjigjën me shpejtësi dhe parandaluan djegien e shtëpisë. Dua të them se vetura nuk është riregjistruar dhe ka 16 vite regjistrim në RKS”, ka shkruar ai.
E djegien e veturës e ka dënuar edhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier. Ai ka thënë se SHBA dënon aktin e djegies së veturës dhe përpjekjet për t’i frikësuar të gjithë ata që dëshirojnë të riregjistrojnë makinat në RKS.
“ShBA-ja i dënon djegien ose shkatërrimin e pronës dhe çfarëdo përpjekje për t’i frikësuar ata që kanë ose që synojnë të marrin targa RKS të veturave sipas ligjit kosovar. Këto janë akte frikacake dhe kriminale.”, ka shkruar ai.

