Flaka Surroi për deputetët: Kosova e ka luksin t’i paguajë 120 badihavxhi nga rreth 2 mijë euro në muaj
Flaka Surroi, gazetare veterane dhe opinioniste, ka publikuar një shkrim në mediumin Koha, ku ka komentuar debatin në Kuvendin e Kosovës rreth Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Krejt debatin e djeshëm në Kuvendin e Kosovës, zonja Surroi e ka quajtur vazhdim të “cirkut parlamentar”. Tutje, ajo ka shkruar se debati i djeshëm e shpërfaqi “mjerimin e politikës aktuale kosovare”.
“I gjithë debati i djeshëm e shpërfaqi mjerimin e politikës aktuale kosovare. Cinizmi dhe rima e kryeministrit pati për qëllim që t’i hallakasë deputetët opozitarë. Ia doli. Fjalimet që mund të dëgjoheshin varg ishin si muhabete odash e akuzash te turli lloji.” – shkroi ajo.
Duke shkruar për mospublikimin e shumës së mbledhur në Fondin e Sigurisë, Surroi ka bërë një cilësim interesant rreth deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
“Sidoqoftë, mjete më shumë për sektorët e sigurisë do të duheshin nënkuptuar edhe rritjet e shtesave në një nivel të optimal. Sepse nëse Kosova e ka luksin që t’i paguajë 120 badihavxhi nga rreth 2 mijë euro në muaj, që rrezikun e vetëm e kanë në mos po u fluturon ndonjë shishe e plastikës, do të duhej ta kishte detyrimin që njerëzve në të cilët është investuar aq shumë, t’ua ofrojë një shtytje shtesë financiare.” – vazhdoi analiza e Surroit.