Finlanda thotë se dy avionë luftarakë rusë kanë shkelur hapësirën ajrore të vendit
Ministria finlandeze e Mbrojtjes ka akuzuar Rusinë, duke thënë se dy avionë luftarakë rusë MiG-31 kanë hyrë në hapësirën e saj ajrore këtë mëngjes pranë qytetit bregdetar Porvoo.
Sipas ministrisë, shkelja e dyshuar ka ndodhur në orët e para të mëngjesit dhe avionët ishin në drejtim të perëndimit.
"Thellësia e shkeljes së dyshuar në hapësirën ajrore finlandeze ishte një kilometër," tha zëdhënësi Kristian Vakkuri.
Më parë, ministria ruse e Mbrojtjes u citua nga Interfax të thoshte se kishte zhvendosur tre avionë luftarakë MiG-31E të pajisur me raketa hipersonike Kinzhal në rajonin e saj të Kaliningradit, një enklavë bregdetare e Baltikut midis Polonisë dhe Lituanisë.
Kujtojmë se, Finlanda dhe fqinji i saj, Suedia, kanë bërë përpjekje për t'u bashkuar me aleancën ushtarake perëndimore NATO, diçka që ka zemëruar Rusinë dhe ka çuar në kërcënime nga Moska.