FIBA nisi hetime për thirrjet antishqiptare gjatë ndeshjes Maqedoni e Veriut – Rumani
Federata Ndërkombëtare e Basketbollit (FIBA) ka njoftuar se ka nisur hetimet lidhur me thirrjet antishqiptare gjatë një ndeshjeje mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, e zhvilluar gjatë fundjavës. Ky hetim u konfirmua për Radion Evropa e Lirë nga FIBA, e cila po mbledh raportet dhe dëshmitë e nevojshme, duke bashkëpunuar me federatat përkatëse, autoritetet lokale dhe forcat e rendit.
“Në këtë fazë, jemi duke mbledhur raportet dhe deklaratat përkatëse, duke punuar në përputhje të ngushtë me federatat kombëtare të përfshira, si dhe me autoritetet lokale dhe forcat e rendit”, tha FIBA.
Thirrjet provokuese, të cilat janë dëgjuar nga tifozët gjatë ndeshjes së fazës së dytë të parakualifikimeve për Kupën e Botës 2027 në Katar, përfshijnë fraza si "Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur", "Dhoma gazi për shqiptarët" dhe "Maqedoni e pastër".
Thirrjet përjashtuese dhe raciste kanë ngjallur reagim të ashpër nga politikanët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët e kanë konsideruar incidentin si një shkelje të rëndë të dinjitetit dhe të drejtat e shqiptarëve.
FIBA ka theksuar se e dënon ashpër çdo formë diskriminimi dhe gjuhën e urrejtjes në sport.
“Ne promovojmë në mënyrë aktive krijimin e një mjedisi gjithëpërfshirës dhe me respekt për të gjithë lojtarët, ekipet dhe tifozët, si një përparësi kryesore në sport”, thuhet më tej në reagimin e FIBA-s.