Festivali Sunny Hill në Gërmi, një grup qytetarësh ankohen në komunë
Organizata joqeveritare ‘Qytetarët Aktivë’ kanë dorëzuar ankesë drejtuar kryetarit të Prishtinës, Përparim Ramës dhe Drejtorisë së Parqeve, duke kërkuar që të anulojnë pëlqimin për mbajtjen e festivalit ‘Sunny Hill’ në Parkun e Gërmisë.
“Ne si organizatë që e monitorojmë Drejtorinë e Parqeve nuk kemi hasur në ndonjë debat publik apo thirrje për pjesëmarrje në vendim. Kjo konsiderohet shkele ligjore”, thuhet në reagim.
“Degradimin e biodiversitetit dhe mjedisit nga shfrytëzimi i festivalit e tregojnë faktet nga vitet e kaluara, i keni parë të gjitha dhe kur faktet ekzistojnë dhe merrni një vendim të tillë atëherë kemi të bëjmë me kodin penal – Veprat penale kundër mjedisit, kafshëve, bimëve dhe objekteve kulturore”, thuhet tutje.
Kjo organizatë gjithashtu ka bërë të ditur se janë në pritje të rekomandimeve nga Instituti i Kosovës për mbrojtjen e Natyrës, rreth mbajtjes së festivalit në Parkun e Gërmisë.