Fermerët e qumështit mbajnë takim urgjent pas situatës së krijuar në qumështoren "Vita", kanë një thirrje për Ministrinë e Bujqësisë
Shoqata e prodhuesve të qumështit mbajti një takim urgjent me anëtarësinë për të diskutuar situatën e krijuar pas ndërprerjes së grumbullimit të qumështit të freskët nga fermat e tyre nga qumështorja VITA.
Gjatë takimit, kërkesa kryesore e anëtarëve ishte organizimi i një takimi të menjëhershëm me përfaqësuesit e qumështores, me qëllim që të gjendet një zgjidhje dhe të rifillojë sa më shpejt grumbullimi i qumështit.
Sipas informacioneve të prezantuara në takim, kërkesa kryesore e qumështores është përfundimi dhe publikimi sa më i shpejtë i rezultateve të mostrave të marra, si kusht për rifillimin e grumbullimit.
Për këtë arsye, Shoqata e Prodhuesve u bën thirrje urgjente Ministrisë së Bujqësisë, respektivisht Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, që të përshpejtojnë procedimin e rezultateve, në mënyrë që të mundësohet dorëzimi i qumështit të freskët dhe të shmangen humbjet eventuale të sasisë së prodhuar, veçanërisht duke pasur parasysh temperaturat e larta që po mbizotërojnë.
Shoqata paralajmëron se, nëse situata nuk zgjidhet me urgjencë, do të jetë e vështirë të shmangen protestat eventuale të fermerëve.