Feraj i VV-së harron çka ka shkruar, sulmon disa studiues që po publikojnë qëndrimet e shkelura të Kurtit - NACIONALE

Feraj i VV-së harron çka ka shkruar, sulmon disa studiues që po publikojnë qëndrimet e shkelura të Kurtit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Këshilltari i Qeverisë Kurti për marrëveshjet me Shqipërinë, Hysamedin Feraj, ka bërë një status duke përçmuar ‘logjikën’ e disa studiuesve të cilët megjithatë i ka lënë anonimë.

Feraj duket se mbron shkeljen e qëndrimeve nga ana e kryeministrit Kurti, duke konsideruar se ka “diçka më shumë në përmbajtjen e tyre”.

Ai beson që ka një strategji për të gjetur kundërthëniet në deklarimet e Vetëvendosjes dhe të kryeministrit Kurti.

“Opozita e bëri strategji dhe militantët e “studiuesit” e ndoqën: gjetjen e “kundërthënieve” ndërmjet deklarimeve të LVV-së tani dhe dikur.” – thotë z. Feraj.

Ai si duket ka harruar që Vetëvendosje ka fshirë një numër të madh komunikatash, e të cilat zbardhnin qëndrimet e kësaj partie që janë ndërruar pas ardhjes në pushtet.

Për më keq, z. Feraj ka harruar se në intron e tij në Facebook ende shkruhet: “Mendoj që Bashkimi Kombëtar duhet bërë sot!”

Për fat të keq, i këtij mendimi më nuk është kryeministri i Kosovës.

Statusi i plotë:

Opozita e bëri strategji dhe militantët e "studiusit" e ndoqën:

Gjetjen e "kundërthënieve" ndërmjet deklarimeve të LVV-së tani dhe dikur.

Opozitës dhe militantëve u falet: aq dinë! "Studiuesve" nuk e falet, sepse kanë për detyrë të dinë më shumë. Por duke mbetur në atë strategji, po ngjasojnë me nxënësin qe sapo ka mësuar shkronjën e parë të alfabetit (A, a), dhe pretendon se me të mund të lexojë edhe tekstet më të ndërlikuar dhe të kuptojë më mirë se kushdo përmbajtjet e tyre.

Mirëpo logjika është më shumë se vetëm logjika e deklarimeve ("statements") dhe rregullat janë më shumë sesa parimi i kundërthënies.

I ftoj të kalojnë së paku te shkronja e dytë, e zëmë, te logjika e kallëzuesve ("predicates"), e pastaj mundësisht të shkojnë më tej.

Mësimi i tërë "alfabetit", si dhe i leksikut, i semantikës dhe i sintaksës së logjikës do t'i ndihmonte të flasin me logjikë para se të flasin për logjikën.

E kështu do të na ndihmonin si komb dhe popull.

Lajme të ngjashme