Evakuohen dy familje nga FSK në Rahovec pas reshjeve të mëdha
Reshjet e dendura të ditëve të fundit kanë shkaktuar probleme të mëdha për disa familje në komunën e Rahovecit, të cilat u përballën me izolim të plotë brenda shtëpive të tyre për shkak të vërshimeve.
Sot, në koordinim të plotë me Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), u realizua me sukses evakuimi i dy familjeve nga fshati Xërxë, të cilat rrezikonin seriozisht për shkak të ngritjes së nivelit të ujit. Ekipet e FSK-së ndërhynë në terren dhe siguruan transferimin e tyre të sigurt drejt zonave të pa rrezikuara.
Në vendngjarje ka qenë edhe stafi mjekësor i QKMF-së në Rahovec, i cili u ka ofruar qytetarëve të evakuuar ndihmën e parë mjekësore. Personat e prekur më pas janë dërguar për trajtim të mëtejmë mjekësor, në mënyrë që të sigurohet gjendja e tyre shëndetësore pas situatës së rënduar.
Autoritetet lokale apelojnë që qytetarët të jenë të kujdesshëm dhe të raportojnë çdo nevojë urgjente, ndërsa ekipet e emergjencës mbeten në terren për të monitoruar situatën.